Konjufca: Nga Franca presim mbështetjen për vizat, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës.

Në takim, sipas komunikatës së Kuvendit, Konjufca ka thënë se presin nga shteti francez mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, anëtarësim në Këshillin e Evropës, BE, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

SMë tej thuhet se Konjufca ka falënderuar ambasadorin Guerot për përkrahjen të cilën Franca ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe rrugëtimit drejt integrimeve evropiane.

“Kryetari i Kuvendit tha se presim nga shteti francez mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës meqë janë përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuara. E po ashtu edhe përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, BE, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës Konjufca dhe ambasadori Guerot konfirmuan përkushtimin dhe gatishmërinë për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në sfera të interesit të përbashkët. ​

Presidentja Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës franceze në Kosovë, Olivier Guerot disa ditë më parë.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite, më 13 tetor të këtij viti diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizimin e vizave.