Shqiptohen gjoba ndaj televizioneve dhe radiove që kanë ndërruar pronësinë pa aprovim paraprak, trajtohen edhe ankesa tjera

Shkaku se pa aprovim paraprak kanë ndryshuar pronësinë, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka vendosur t’iu shqiptojë gjoba televizionit “TE7” 5 mijë euro, “TV Dukagjinit” 3 mijë euro e “Radio Dukagjinit” 1 mijë euro.

Këto gjoba dhe të tjera si dhe vërejtje janë shqiptuar të premten në mbledhjen e 11 të KPM-së që ka përfunduar në mesnatë ku janë trajtuar edhe ankesa tjera përfshirë edhe një gjobë ndaj “Kanal 10” prej 1 mijë eurosh pasi nuk e kishin transmetuar një reagim të një pale që ka pretenduar se televizioni ka publikuar lajm të pavërtetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zyrës Ekzekutive kishte rekomanduar që për “Kanal 10”, të shqiptohet një vërejtje, lidhur me një ankesë me pretendimin për transmetim të lajmit të pavërtetë. Po ashtu, u bë e ditur se Zyra

Ekzekutive ka gjetur se nuk është transmetuar reagimi i palës ankimuese.

Gjatë diskutimeve anëtari i KPM-së, Besnik Berisha ka propozuar që t’i shqiptohet një gjobë minimale. Sipas tij, kur është në pyetje e drejta e reagimit televizioni ka përgjegjësi më të madhe sesa vetëm vërejtje.

Rekomandimi që doli nga ky diskutim, u miratua me 4 vota për dhe një kundër.

Po ashtu, nga 1 mijë euro gjobë KPM i shqiptoi edhe “Top Radio”, “Radio Capital FM”, “Radio Mir”, “TV Mir”, “Radio Impuls” dhe “Radio Vizion”.

Ndërsa, “TV Llapit” u shqiptua gjobë 2 mijë euro, “BB Herc” dhe “Job Net” nga 5 mijë euro, kurse rekomandimi për t’i shqiptuar gjobë “TV Dielli” nuk është miratuar.

Ndërkaq, për shkeljen e Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve, KPM e ka sanksionuar me vërejtje “ATV” për serialin “3 vllaznitë”, lidhur me një ankesë për promovim të dhunës seksuale ndaj gjinisë femërore.

Ndërkaq, për shkeljen e Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale, KPM e ka sanksionuar “Niart” me gjobë prej 2 mijë euro.

Ndërsa, me dy vota për, dy kundër dhe një abstenim, nuk është miratuar rekomandimi që t’i shqiptohet gjobë “TV Dukagjini”, në lidhje me një ankesë për raportim të njëanshëm.

E si e pabazuar është refuzuar edhe ankesa e Shyqri Haxhës për “KTV”, për një kronikë të transmetuar “lirohet ish-kryeshefi i PTK-së nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme”.

KPM gjithashtu ka miratuar edhe rekomandimet për ripërtëritje të licencave për “Radio 7 Kosova”, “Radio Fortuna”, “Radio Bambus”, kurse çështja e “Radio Alba” ka mbetur të shqyrtohet për mbledhjen tjetër.

Ndërkaq, u bë e ditur se janë 19 raste për mos sjellje të raportit vjetor financiar. Për këto raste, është miratuar rekomandimi për t’iu dhënë afat 15 ditë që t’i sjellin ato raporte dhe të pranojnë nga një vërejtje për mos sjelljen e tyre në kohë, si dhe të njoftohen se mos kryerja e obligimit do të pasojë me sanksione. Bëhet fjalë për rastet e “Radio 7 Kosova”, “Radio 7”, “IPTV Tech”, “Radio Energji”, “Radio Rinia”, “TVR”, “Premier Songs”, “TV7”, “Big Brother 1”, “Big Brother 2”, “Radio Maria”, “TV Diaspora”, “Radio Gjilani”, “Kugo TV”, “Conect 3”, “Glam Radio”, “Radio Romano Avazo”, “Radio Prizreni”, “Radio Victoria”.

Në këtë mbledhje, KPM-ja ka refuzon edhe ankesën e Odës së Avokatëve për emisionet e “Betimi për Drejtësi”, ku është konstatuar raportimi profesional.

Gjatë mbledhjes, një anëtare e KPM-së ka kërkuar të shikohen shkeljet e mëhershme ligjore dhe është shtyrë ripërtëritja e licencave për “Artmotion” dhe radio “Klan Kosova”.

Në të njëjtën mbledhje, KPM ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë euro gjobë ndaj “Klan Kosovës” pasi në emisionin “Big Brother” ishte përdorë gjuhë vulgare dhe ofenduese./BetimipërDrejtësi