Pas aksidentit tragjik, Rahoveci të hënën ditë zie

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, e ka shpallur ditë zie të hënën e javës së ardhshme, si pasojë e një aksidenti trafik ku humben jetën tre persona dhe tre të tjerë u lënduan në fshatin Bërnjak.

Latifi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe gjithë qytetarëve.

“Me këtë rast, të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë”, ka thënë Latifi, përmes një njoftimi të publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Në përputhje me kompetencat e mia si Kryetar i Komunës së Rahovecit, duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe gjithë qytetarëve, kam vendosur që të hënën, datë 29 korrik 2019, ta shpall Ditë Zie, pas aksidentit tragjik të ndodhur sot në Rahovec!

Me këtë rast, të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë.