Pacolli dënon vendimin e gjykatës serbe për Nezir Mehmetajn: Kjo marrëzi duhet të marrë fund

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me dënimin e Gjykatës së Beogradit për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt.

Pacolli dënoi këtë vendim duke thënë  kjo marrëzi duhet të marrë fund.

 Ai ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me Brukselin, dhe se ka alarmuar institucionet e Bashkimit Evropian për arrestimin e Mehmetaj, si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovar.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli, transmeton Indeksonline.

Në një komunikatë për media u shtua se Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e Nezirajt dhe kthimin e tij në familje.

Ndryshe pak më parë Indeksonline raportoi lidhur me marrjen e vendimit për paraburgim prej 30 ditësh për Nezir Mehmetajn, kosovarin e ndaluar në Serbi që nga e premtja