Një operacion i gjerë anti-drogë është realizuar me sukses mëngjesin e së martës, pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës,
Operacioni i koduar “Qielli i Thyer” u zhvillua në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, dhe rezultoi me arrestimin e 22 personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash.
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të komunikuar dhe organizuar aktivitetet e tyre kriminale. Operacioni është shtrirë në disa rajone të vendit, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën dhe Gjilanin, ku janë bastisur gjithsej 47 lokacione.
Në aksion morën pjesë rreth 600 zyrtarë policorë, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në arrestimet dhe bastisjet. Gjatë operacionit janë sekuestruar:
Sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike,
129 vetura,
134,900 euro para të gatshme,
20,040 franga zvicerane,
490 dollarë amerikanë,
13,000 euro para të falsifikuara,
9 orë dore të markave të njohura,
36 armë zjarri të tipeve të ndryshme,
1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion,
Një presë për paketimin e heroinës dhe kokainës,
Pajisje elektronike, si laptopë, telefona, USB dhe dokumente të ndryshme.
Gjithashtu, janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë prej 400,000 euro, ndërsa janë vënë nën urdhër ndalimi të gjitha pasuritë e paluajtshme të të dyshuarve.
Operacioni është mbështetur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa u udhëhoq nga Prokurori i PSRK-së, i cili ishte prezent gjatë realizimit të kontrollit në terren.
Ky aksion përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar transnacional, dhe vjen si rezultat i një hetimi të thelluar dhe përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve të drejtësisë dhe rendit.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës theksojnë se do të vazhdojnë angazhimin e tyre të palëkundur në luftimin e krimit të organizuar, duke garantuar se askush që cenon sigurinë dhe ligjin në Kosovë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.