Mali i Zi heq masat anti-COVID për shqiptarët, s’ka nevojë për dëshmi vaksinimi ose test

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka njoftuar sot se Mali i Zi ka lehtësuar masat anti-COVID për hyrjet në vend.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme ka shtuar se nga sot qytetarët shqiptarë do të mundë të udhëtojnë lirisht në Mal të Zi, pa qenë nevoja të paraqesin në kufi certifikatë vaksinimi ose çfarëdo testi lidhur me COVID- 19.

Ministria ka publikuar gjithashtu një link ku qytetarët mund të konsultohen për të gjitha udhëtimet jashtë vendit.

Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të mbajë në fuqi masën për paraqitjen e testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, për hyrjet në vend.