Një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb i cili dyshohet se kreu krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sllagjan Trajkoviq për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, krime të luftës në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës, krime të luftës në shkelje të rëndë dhe organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.T, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“I pandehuri S.T dyshohet se ka kryer veprat penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krime të luftës në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës neni 144 të KPRK-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës nga neni 145 dhe 146 te KPRK-së dhe Organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës neni 154, ndërlidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.