NJË PASAPORTË PËR KOSOVË

Merreni, ju lutem,
një pasaportë
për të udhëtuar afër,
deri te një kenotaf Kosove,
për shembull,
tek ai varr
njëzet vjet i hapur
në zemër të tokës,
të nënës
e të motrës.

Merreni, ju lutem,
një pasaportë
për të udhëtuar
deri te nëpunësi
që s’i mjafton rroga e republikës
për ilaçet e fëmijëve
dhe për helmin kundër minjve.

Merreni një pasaportë,
ju lutem,
për të marrë pjesë secili
në ceremoninë mortore kur vdes ligji.

Merreni një pasaportë
për të udhëtuar nëpër Kosovë,
për shembull,
deri atje ku vota e sovranit shitet
për bukën e ditës.

Ju lutem,
merreni një pasaportë
për të udhëtuar nëpër Kosovë.

E SOTMJA

E sotmja
dje nuk e zhvishte
për asnjë çmim
vellon e papërlyer
të së ardhmes,
ditëve pa diell
e netëve pa hanë
në Ulpianë.

SIZIF SËRISH

Sizif sërish duhet të jesh
e të mundohesh kot
ta shtysh deri majë kodre
gurin e varrit,
aq i rëndë është,
tepër i rëndë.

Kostandin sërish duhet të jesh
e të mos mundesh
të arrish kurrë këndej
ta mbyllësh perden e farsës.

TI JE GJALLË

Tërmet ish
që më dridhi sot
një kujtim
dhe pantomima jote
e fotografisë.

Dua t’i besoj legjendës,
ti je gjallë
pas shtatëdhjetë
e shtatë bjeshkësh.

Hipa mbi Pegasin tim,
po nisem.

PRES

Kam shpresë tash vjen
fjala jote, zëri yt,
nëpër eter,
qiellit,
mbi Pegasin e kthimit.

Si flutur krahashkruar
e Naimit,
si dallëndyshe
e Filip Shirokës n’Shkodër.

Më dridhi shumë sot
ky tërmet i qetësisë sonë,
ti tashmë ke vënë këmbët
mbi yzengjitë e mallit.

E qielli i përhimë shkruan
hieroglifë të çuditshëm
me shenjat tona që i bart era,
sipër tokës, mes planetësh.