NGROHJE EFIÇIENTE

Të vegjlit i afron
më afër qelqit të dritares
dhe rrezeve të diellit
ua ngrit fitilin
një nënë e re e Republikës
mëngjeseve me hënë të dimrit.

EDHE TASH TË FALEM

Edhe tash të falem
ty ëndrra ime,
në burg
a në lirinë e burgosur
të kësaj stine.

Të falem kudo qofsh,
e ndaluar,
e kryqëzuar.

Ëndërr e vjetër
që nuk bëhesh tjetër.

BIG BROTHER

Na duhen kamerat
edhe në secilin tualet,
edhe në secilën ëndërr,
se s’rrojmë dot pa ty,
Big Brother!

KUR BIE MJEGULL

Në hieroglifët e dhimbjes së vjetër
oxhaqet e uzinave të vjetra
marrin frymë e nxjerrin tym
sa herë mjegull bën
këndej Drinit dhe andej.

Dhe ia lidhin ndonjë stërqoke,
aq zi në të zitë e pendëve të zeza,
një letër anonime kundër teje.

MADE IN KOSOVA

Hani prodhime vendore!
Bukë e qepë e ujë t’atdheut!
Shëndet!

Mos merrni ilaçe
që nuk janë Made in Kosova
por, ani, pini
kur keni shumë dhimbje.

BETEJAT E DON KISHOTIT

Sojliu ynë*
në një han modern
ndanë rruge,
betejën prore e fiton
në luftë me shakujt
e verës së kuqe.
___________________________________
*një nga epitetet e Don Kishotit në romanin
“Don Kishoti i Mançës” të autorit Miguel de Cervantes.