Ministria e Tregtisë nis inspektimet për shtrenjtimin e naftës, dyshohet se ka pasur orkestrim

Pas uljes së çmimit për disa ditë, nafta ka pësuar ngritje të sërishme të çmimit në Kosovë, përkundër faktit që të martën u raportua për rënie të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, për shkak të avancimit të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Në lidhje me këtë rritje, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  të cilët kanë thënë se paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi lenë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit.

Kjo ministri kanë thënë së autoritetet po inspektojnë në terren.

“Sot në mëngjes ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës. Paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi lenë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit. Autoritetet po inspektojnë në terren”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i inkurajon qytetarët të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem.

Aktualisht një litër naftë kushton nga 1.59 euro deri në 1.69.

Për të ruajtur mundësinë nga çrregullimet në treg, Qeveria e Kosovës ka vendosur marzhë tregtare (çmim maksimal) vetëm për derivatet e naftës. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare duhet të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.