Ngacmohet seksualisht një vajzë në Klinë, bashkëfshatari 31-vjeçar ekspozon organin gjenital

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, të cilat përballen me ngacmues,

Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në fshatin Klinacë të Klinës, ku një 21-vjeçare dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga një burrë i moshës 31-vjeçare.

I dyshuari tashmë ndodhet në mbajtje, ndërsa gazeta ka mësuar detajet e rastit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur pasdite, kur i riu D.Sh., po dyshohet se e ka ngacmuar vajzën, duke ia ekspozuar organin gjenital posa ajo ka kaluar pranë shtëpisë së tij. Kjo situatë e ka shqetësuar viktimën, e cila fillimisht i ka njoftuar prindërit e saj për veprimin e bashkëfshatarit të tyre.

Siç mëson gazeta, babai i saj ka vendosur që rastin ta denoncojnë dhe bashkë me të bijën janë nisur për në stacion policor, ku vajza ka rrëfyer atë që kishte ndodhur.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë 31-vjeçarin e dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim seksual’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.