Nga fundi i janarit fillon furnizimi me pasaporta e dokumente tjera në Kosovë

Nga fundi i janarit pritet të fillojë furnizim me material për prodhimin e pasaportave, lejeve të vozitjes e letërnjoftimeve. Kështu ka konfirmuar sot Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Insajderi.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigje.

Theksojmë se ministria e Punëve të Brendshme së fundmi ka lidhur një kontratë me vlerë prej 4 milionë eurove me një kompani gjermane për furnizim me material të tillë.

Ditë më parë, për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

Ndërkohë, turpëruese, qesharak, fëmijërore e e pa vend është cilësuar kërkesa e Sveçlës nga akterë të ndryshëm.

Deri tani nuk ka ndonjë kthim të përgjigjes nga pala gjermane.