Kurti thotë se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Në fjalën e tij, Kurti ka folur lidhur me të arriturat e Qeverisë së tij gjatë vitit 2022.

Kurti ka thënë se buxheti i Kosovës për vitin 2023, do të jetë mbi 3 miliardë euro.

“Buxheti i Kosovës për vitin 2023 do të jetë 3.2 miliardë euro, është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Për nivelin komunal kemi rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak. Shpenzimi i këtij buxheti duhet të jetë i hapur e transparentë ndaj qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se si Qeveri e Kosovës kanë investuar edhe në sektorin e Bujqësisë me 70 milionë euro. Ai ka thënë se kjo përbën përkrahjen më të madhe për bujqit në Kosovë.

Më tutje kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni si dhe ta shtojë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare.

Kurti u ka thënë kryetarëve të komunave se gjatë vitit 2023 pret bashkëpunim nga ana e tyre.