Në rigjykim, deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për shkaktimin e aksidentit ku si pasojë kishte vdekur kadeti policor

Pejë- Arton dhe Nezir Duraku janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të rigjykimit, të cilët po akuzohen për shkaktimin e aksidentit dhe mosdhënien e ndihmës viktimës kadetit policor F.SH.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ersan Qavolli, dy të akuzuarit e lartcekur u deklaruan të pafajshëm përballë akuzave për rrezikimin e trafikut publik si dhe mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësi trafiku publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, i njoftoi palët dhe mbrojtësit e tyre lidhur me kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave dhe atë në afat prej 30 ditësh.

Në gjykimin e parë dy të pandehurit ishin dënuar me 15 vjet burgim (së bashku) nga Gjykata Themelore e Pejës.

Vendimin e shkallë së parë e kishte e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarve Duraku ashtu që aktgjykimi i Themelores, dhe ai i Apelit ishin anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim të shkallës së parë.

Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së./BetimpërDrejtësi