“Unë e ti merremi vesh ndryshe…”/ Malishevasi kërcënohet nga një 40-vjeçar, shkak një rast i vjedhjes

Një rast i vjedhjes i ka futur në sherr dy 40-vjeçarë në Malishevë, të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt verbal që eskaloi edhe në kanosje. Rasti është denoncuar dhe i dyshuari tashmë ndodhet në ndalim policor,

Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari J.N., e ka telefonuar viktimën dhe gjatë bisedës që kanë pasur, e ka kërcënuar seriozisht, ku ndër të tjera i ka thënë se “Unë dhe ti do të merremi vesh ndryshe…”.

Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, motivi i kanosjes dyshohet se lidhet më një rast të vjedhjes, që e shtyri të dyshuarin ta kanos palën tjetër.

Viktima ka kërkuar ndihmë në Polici, ku e ka raportuar rastin dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.