NË KLINË FILLON FUSHATA KUNDËR DHUNËS NË FAMILJE

Në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”, sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, për të diskutuar për këtë problem është mbajtur një takim ndërmjet policisë së Kosovës, drejtorëve të shkollave dhe DKA-së.

Takimin e udhëhoqi Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, z. Enver Gashi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se fushata 16 ditore e aktivizimit kundër dhunës është shumë e rëndësishme për sensibilizimin e të rinjve dhe qytetarëve për ndikimin negativ që sjellë në shoqëri.

Ndërsa, z. Fadil Gashi nga Policia e Kosovës, theksoi se institucionet policore në bashkëpunim me drejtoritë e Arsimit në komuna tjera por edhe në Komunën e Klinës po vazhdojnë me shënimin e kësaj fushate, e cila ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje dhe shoqëri.

Ndërsa, Violeta Demhasaj foli për ndikimin negativ dhe pasojat që sjellë dhuna në familje tek fëmijët dhe veçanërisht te gjinia femërore dhe theksoi se veçanërisht mësuesit mund të luajnë një rol shumë pozitiv në përhapjen e kësaj fushate.

Në këtë takim u potencuan hapat që Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe mësuesit duhet të ndjekin për sensibilizimin e fushatës kundër dhunës në familje.

Në anën tjetër, Drejtorët e shkollave folën për problemet me të cilat përballen ata dhe shënimin e kësaj fushate e vlerësuan pozitivisht drejt minimizimin e dhunës.

“16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” është një fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor – Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 dhjetor – Ditën e të Drejtave të Njeriut.