Ndeshja Kosovë-Izrael do të zhvillohet me tifozë

Njëzet e tetë ditë pas planit fillestar, 22 futbollistë të Kosovës dhe Izraelit do të shkelin në fushën e gjelbër të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 12 nëntor.

Në përkrahje të tyre do të jenë edhe rreth 14 mijë tifozë – nëse shiten të gjitha biletat.

Se ndeshja do të zhvillohet me praninë e tifozëve e konfirmoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

“Pas mbledhjes me UEFA-n [Federatën Evropiane të Futbollit], është marrë vendimi që ndeshja të zhvillohet me tifozë”, tha Ademi për REL.

Ai shtoi se do të merren të gjitha masat e parashikuara me rregulloret e UEFA-s, që ndeshja të mos përcillet me ndonjë incident të mundshëm.

Mundësia që ndeshja të zhvillohet pa praninë e tifozëve u përfol pasi që Kosova do të mund të gjobitej dhe ndëshkohej nga UEFA, nëse në stadium ndodh ndonjë incident shkaku i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit militant që kontrollon Rripin e Gazës.

Në Kosovë u organizuan disa marshe në mbështetje të palestinezëve në Gazë.

Ndeshja e 12 nëntorit – në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2024 – fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej rreth një muaj më parë, më 15 tetor. Por, ajo ishte shtyrë shkaku i luftës në Lindjen e Mesme.

Personave që kishin blerë biletat për ta parë ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit, u ishin kthyer paratë pak ditë pasi ishte shtyrë ndeshja.

Por, presidenti i FFK-së tha se biletat do të dalin sërish në shitje “brenda një ose dy orësh”.

Ademi tha se i takon Policisë së Kosovës që t’i marrë masat e duhura të sigurisë, në mënyrë që të mos lejohet ndonjë incident. Policia e Kosovës dhe UEFA nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me masat e sigurisë që do të ndërmerren.