Rezervat e fundit të materialit mbrojtës do të dërgohen në Viti e Klinë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në rezervat e fundit të materialit mbrojtës të siguruar.

Në konferencën e mbajtur sot, Vitia ka shtuar se gjithë ai material i mbetur do të shkojë në Viti e Klinë, zona këto të cilat kanë hyrë në karantinë që nga nata e mbrëmshme.

“Sa i përket Vitisë dhe Klinës dje jam dëgjuar me kryetarin e këtij të fundit, në procedurën që kemi zhvilluar më herët kemi siguruar material 100 mijë euro, ku jemi në rezervat e fundit të këtij materiali dhe sot në takimin që kishim nga ora 10:00 me Komitetin, kemi udhëzuar që rezervat të shpërndahen në këto komuna”, ka thënë ai.

Vitia po ashtu ka bërë të ditur se ndihma për mjetet mbrojtëse nuk mund të marrin as nga shtetet tjera, pasi të gjtiha vendet kanë mungesë të tyre,

“Me shumë miq ndërkombëtarë që kemi folur na kanë siguruar çfarëdo ndihme por jo edhe për masat mbrojtëse”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se personat të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, janë testuar, ku njëri prej tyre ka dalë pozitiv dhe të tjerët negativë. Ndërsa, edhe disa të tjerë janë duke u testuar.

Naser Ramadani, për zgjedhjet në Podujevë ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe kanë udhëzuar KQZ-në se si të mbrohen votuesit.

“Procedurat e zgjedhjeve në Podujevë kanë qenë të parapara më herët dhe kanë mundur të ndërpriten në çdo moment nëse do të rrezikoheshim për shpërndarje të sëmundjes. Të gjitha masat janë ndërmarrë, KQZ-së i janë dërguar të gjithë udhëzuesit. Sot është heshtje zgjedhore, nuk kemi mundur dje ta parandalojmë fushatën. I kemi dhënë rekomandime KQZ-së që votuesit të mbajnë distancën nga njëri-tjetrit”, ka shtuar ai.

Në Kosovë, sot është shënuar rasti i tretë me koronavirus.