Natë e tensionuar: Policia jep detaje për gjendjen aktuale në Veri

Arrestimi i një ish-zyrtari policor në Veri të vendit, i cili dyshohet se ka hedhur një shok-bombë gjatë incidenteve të fundit atje, ka pasuar me vendosjen e barrikadave në Rudarë në afërsi të Zveçanit.

Sinjalizuesi i Sinjalit për Veri ka bërë me dije për se ish-polici i arrestuar është Dejan Pantic, i cili u kap nën dyshimet se ka hedhur njërën nga shok-bombat në Mitrovicë të Veriut.

Situata nisi të marrë përshkallëzim më të gjerë në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak. Në këto pika kufitare pati shkëmbim me armë zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupeve kriminale serbe.

Por, si është situata një ditë pas tensioneve?

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha për Sinjalin se situata sot është e qetë.

“Nata nuk ka pas ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme përveç atyre çfarë ka ngjarë gjatë ditës. Situata gjatë natës ka qenë e qetë“, u shpreh Hoti.

Siguria në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës u bë më e rrezikshme dhe kjo u dëshmua edhe përmes raportimeve nga gazetarët vendos. Disa prej tyre shpesh herë ju rrezikua jeta nga shok-bombat e hedhura nga grupet kriminale serbe.

Sipas informacioneve të fundit, vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura, Policia e Kosovës nuk e lejon kalimin as me vetura dhe as në këmbë.