Konjufca, Serbisë: Kthejeni Mehmetajn në shtëpi, ndalni këto sjellje

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se Serbia po arreston në mënyrë arbitrare kosovarët që po kalojnë nëpër të, si në rastin e Nezir Mehmetajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet serbe.

Konjufca ka shkruar se Serbia me këto veprime po tregon se nuk ka ndryshuar mentaliteti politik dhe se shqiptarët i shohin ‘si njerëz të dorës së dytë’.

Shkrimi i plotë:

Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij. Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj. Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë.

Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi. Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë.

Sjellje të tilla që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen. I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj. Jemi në shek. XXI e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh!