Mosmarrëveshje mes kosovarëve në Gjermani, njëri qëllohet për vdekje në rrugë

Një 57-vjeçar me origjinë nga Kosova është gjetur i vrarë në Regensburg të Gjermanisë. Sipas mediave gjermane, një 55-vjeçar, po ashtu kosovar, është arrestuar si i dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Regensburg të Gjermanisë.

Sipas dëshmitarëve, viktima dhe i dyshuari kishin pasur një mosmarrëveshje.

“Në Regensburg, një burrë u qëllua në rrugë. Dëshmitarët kishin vërejtur një mosmarrëveshje midis dy burrave në mëngjes dhe kishin lajmëruar policinë, thanë zyrtarët. Policia gjeti një të vdekur 57-vjeçar të shtrirë në rrugë. Skena e krimit është afër stacionit kryesor të trenit Regensburg, rruga është bllokuar përkohësisht për një kohë të gjatë”, shkruajnë mediat gjermane.

Po ashtu, bëhet e ditur se është arrestuar një 55-vjeçar i cili kishte qenë i armatosur.

“Policët kanë arrestuar një të dyshuar 55-vjeçar, afër vendit të ngjarjes. Dëshmitarët e kishin përshkruar, ndërkaq policia tha që ai po shëtiste dhe kishte një armë me vete”, thuhet tutje.

Policia atje ka njoftuar se viktima dhe i dyshuari janë shtetas gjermanë, me origjinë kosovare.

“Sipas policisë, si burri i ndjerë ashtu edhe i dyshuari janë shtetas gjermanë me origjinë kosovare. Të dy do ta njihnin njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Motivet janë ende të paqarta. Trupit të viktimës pritet t’i bëhet autopsia”, thuhet në raportimin e mediave gjermane.