Dy ditë afat për koalicion – a do të takohen sot Albin Kurti e Isa Mustafa?

Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet ende e paqartë nëse LDK dhe VV do të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.

Gazeta Sinjali ka pyetur zyrtarin për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhukën, nëse do të ketë ndonjë takim gjatë ditës së sotme mes liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, por që i  njëjti nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar.

Manxhuka ka thënë se nuk ka ende asgjë ndonjë informacion të konfirmuar.

“Ende s’kam ndonjë gjë të konfirmuar”, ka deklaruar shkurt Manxhuka për Gazetën Sinjali.

Mediumi ka provuar të marr edhe një qëndrim nga zyrtari për media i LDK-së, Besian Mustafa, por që i njëjti nuk e ka hapur telefonin përkundër thirrjeve telefonike.

LDK dhe VV në ditët e kaluara kishin harmonizuar planin qeverisës ku kishin paraparë të jenë 12 ministri. Por problemi mes tyre po rezulton të jetë posti i presidenti.

LDK këmbëngul që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie,  ndërsa VV konsideron se nuk është koha që tash të flitet për një post të tillë.