Mobilizimi më i madh në histori, Izraeli thërret 300 mijë rezervistë  

Forcat izraelite kanë rifituar kontrollin e fshatrave në kufi me Rripin e Gazës, ku militantët e Hamasit kishin depërtuar, por disa përleshje vazhdojnë pasi militantët palestinezë mbeten aktivë, tha sot një zëdhënës ushtarak izraelit.

Përveç kësaj, sipas admiralit Daniel Hagari, Izraeli ka thirrur 300,000 rezervistë , një numër rekord, që po përgatitet për ofensivë.

Pas sulmit të papritur të organizatës palestineze ndaj Izraelit të shtunën, avionët luftarakë izraelitë bombarduan Rripin e Gazës, ndërsa forcat tokësore u përpoqën të rimarrin kontrollin e fshatrave dhe qyteteve që ishin marrë në kontroll nga militantët palestinezë.

Hagari theksoi se ushtria ka rimarrë kontrollin e këtyre zonave, megjithëse shtoi se ka ende përleshje pasi disa militantë ende nuk janë larguar.

“Aktualisht po kryejmë kërkime në të gjitha komunitetet dhe po pastrojmë zonën”, tha ai.

Më herët oficerët e ushtrisë izraelite kishin treguar se ata po fokusoheshin fillimisht në rivendosjen e sigurisë në anën izraelite të kufirit përpara se të kalonin në kundërofensivë në Gaza.

Hagari tha se 300,000 rezervistë ishin thirrur që nga e shtuna, një numër që sugjeron se po bëhen përgatitje për një ndërhyrje të mundshme tokësore në Gaza, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Asnjëherë në të kaluarën nuk kemi thirrur kaq shumë rezerva”,nënvizoi ai. “Ne po përgatitemi për në sulm. Më në fund, zëdhënësi i ushtrisë konfirmoi informacionin sipas të cilit në Izrael janë vrarë 700 persona, mes tyre 73 pjesëtarë të forcave të armatosura.

Nga ana e saj, ushtria izraelite ka vrarë qindra palestinezë të armatosur.