Minus 43 gradë, ngrin autostrada! Bllokohen 1 mijë makina në Suedi

Me termometrin që shënoi minus 43,6 gradë Celsius, Suedia shënoi natën më të ftohtë të një muaji janar në 25 vjet.

Edhe pse banorët atje janë të mësuar me temperaturat nën zero, vala e fortë e të ftohtit paralizoi trafikun në disa pjesë të vendit, duke bllokuar madje prej ditësh edhe transportin hekurudhor në qytetin verior të Umeas. Bora ndërkohë e bëri autostradën të pakalueshme në të dy drejtimet mes qyteteve Horby dhe Kristianstad.

Rreth 1000 makina e kamionë mbetën aty pa lëvizur dot nga vendi për më shumë se 24 orë. Për t1i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve të mbetur ne vend në mesin e ngricës u angazhuan dhe forcat e ushtrisë, që shpërndanë për ta ujë dhe ushqime.

“Është një kaos total”, deklaroi zëdhënësja e policisë Evelina Olsson, duke shtuar se aq shumë borë po bie, sa vetëm gjysmë ore pas pastrimit, rruga mbulohet sërish prej saj. Në Skane, autoritetet i bënë thirrje banorëve të mos dalin nga shtëpitë e tyre, përveçse rasteve kur është absolutisht e nevojshme. Një front ekstremisht i ftohtë, siç e përshkruan BBC, ka goditur veç Suedisë edhe disa pjesë të Finlandës dhe Norvegjisë, ndërsa në Danimarkë gjithashtu, stuhitë e borës i lanë shoferët të bllokuar në një autostradë pranë Aarhus që nga e mërkura./Tch