Ministri serb, Vuçeviq: Serbia e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia është e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it në sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit.

Në sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku e u lënduan tre policë tjerë. Po ashtu deri më tash janë konfirmuar tre të vrarë nga grupi i sulmuesve.

“Dikush padyshim po e lejon Albin Kurtin të ndërtojë baza në veri, për të hyrë atje policë të armatosur rëndë”, ka thënë Vuçeviq për “RTS”. “Serbia e dënoi vrasjen e policit kosovar, por ajo që ndodhi më pas ishte e tmerrshme, serbët u gjuajtën sikur bisha nëpër pyje. Shihet se dikush e ka përgatitur mirë, kur shikon regjistrimet që i publikojnë radhazi. E gjithë kjo kërkon hetim të mëtutjeshëm. KFOR-i duhej t’i ndalonte të shtënat. KFOR-i ka një bazë jo larg nga andej, dhe ka mundur të reagonte, dhe ishte sikur ata qëndruan mënjanë dhe i lejuan policët shqiptarë të shpërndarë mirë të vazhdonin gjuetinë e serbëve në rrethinën e Banjskës”.

Vuçeviq ka thënë se përkundër zhgënjimit, nuk mund të ndalet komunikimi me KFOR-in.

“Ne presim që KFOR-i të marrë një rol më aktiv dhe jo të jetë vëzhgues kudo në ndonjë kodër dhe të shikojë anash se sa serb do t’i vrasë policia shqiptare”, ka thënë tutje Vuçeviq.

Vuçeviq këtë verë kishte kërcënuar Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.