MËSOVA nga Prof Hajdin Morina

MËSOVA

Mësova t’ia shurdhoj fjalës tamtamet
e pelinin pikë-pikë t’ia shtrydh
në limeret e buzëqeshjes.

Mësova të të gjej e të të zhvesh
deri aty ku je plotësisht ti,
nganjëherë larg kohës sime
e deri në Ka të Zi,
aq thellë fshehur e aq trashë veshur,
mësova vonë tash
në zezonën e vendimeve
për harrimin e zanafillës.

ME ÇMËSUE

Në vend të mësimit
fëmijët mësohen me çmësue fillimin,
sepse pak vijnë kësaj dite prej Mirdite
e pak vijnë prej Elbasanit tash, pak.

URA

Në zanafillë Rozafa,
pas saj me mija
bij edhe bija
lanë eshtra
nën tokë
e nën
ura
s
h
t
y
l
l
a.

TESTIMI I HIPNOZËS

Për ta testuar
efektin e hipnozës,
bora është e zezë,
tha shefi.
Filloi të bjerë borë e zezë,
tha tjetri.
Jo, tash jemi në verë
e nuk bie asnjë lloj bore,
tha shefi.
Jo pra, tash jemi në verë
e nuk bie asnjë lloj bore,
tha tjetri.

ZBULIMI I IDENTITETIT

Ia rropi ngadalë,
një nga një maskat mbi fjalë,
dhe nevojë më nuk kish
për certifikatë të gjendjes civile,
teserë partie apo letërnjoftim.

URREJTE KAFSHËSH

Në një natë të territ të dimrit,
natë e rëndë për fëmijë e njerëz,
në të ftohtë e nëpër baltë
një ahuri të ngrohtë ia mësyu për hall,
por me brirë e me shkelma
nuk e lanë të rraset në derë,
kish harruar krejt e shkreta,
ngjitur në vesh kish tjetër teserë.