Mediat suedeze të ashpra me yjet e kombëtares pas disfatës ndaj Kosovës

Suedia mbrëmë u shokua në “Fadil Vokrri” teksa Kosova arriti një fitore historike 2-0. Rexhbeçaj dhe Muriqi ishin autorët e golave për “Dardanët”.

Në vendin skandinav kanë pasur kritika të shumta për paraqitjen e Suedisë e sidomos dy yjeve të Premier Ligës, Gyokeres dhe Isak.

“Është e qartë se ai nuk është në formën e tij më të mirë, kontrolli i topit nuk ishte siç duhet dhe Gyökeres shpesh e humbiste topin. Ai arriti të krijonte disa gjysmë raste në pjesën e parë, por nuk mjaftoi. Ishte një paraqitje e dobët nga ylli i sulmit”, shkruajti media suedeze “Expresen”, transmeton Klankosova.tv.

“Ishte një nga të paktët që mund të quhej i pranueshëm në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte i padukshëm. Nuk pati shumë me kë të punonte”, vlerësoi Fotbollskanalen. Ndërkohë, Expressen raportoi se Isak pati një “rikthim makthi” dhe se rezultati i përgjithshëm ishte një “zhgënjim i madh”.

Kolumnistja Therese Strömberg shtoi se përpjekja e lojtarëve suedezë ishte një “tradhti” dhe se paraqitja në përgjithësi ishte “shqetësuese”. Fotbollskanalen pretendoi se “Ose Suedia duhet të ndryshojë lojtarët ose trajnerin” – duke shtuar se Isak nuk ngjante me versionin e tij të zakonshëm pasi kishte “djegur” gjithë parasezonin me bojkotin e tij.