Më shumë se 100 të pickuar nga rriqrat në Malishevë

Malisheva edhe në mes të pandemisë po përballet me problemin e rriqrave duke ua vështirësuar edhe më shumë situatën.

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, tha se për këtë ka filluar të bëhet dezinsektimi në gjithë komunën e Malishevës, njofton Klan Kosova.

“Kemi filluar që dje me spërkatjen e fshatrave të Malishevës dhe pas dy ditësh do të dezisenktohet edhe qyteti i Malishevës. Aty ku ka pickime më së shumti ka filluar më herët dhe jemi në komunikim me IKPSHK-në dhe Ministrinë e Bujqësisë”.

“Sivjet kemi më tepër se 100 pickime, por në krahasim me vitet e kaluara ky numër është më i vogël, por ajo që është më rëndësi është se s’ka të infektuar fare”.

Begaj tha se këtë proces po e kryen një kompani e kontraktuar prej Ministrisë së Bujqësisë.

“Ne i lajmërojmë banorët me kohë sepse duhet t’i mbyllin bletët dhe t’i ruajnë edhe bagëtitë. Ata lajmërohen dy ditë përpara dhe kanë përvojë në këtë drejtim, përgatiten”.

“Përgjatë viteve ne kemi pasë 18 të vdekur në Malishevë nga rriqrat. Ka qenë një tragjedi për gjithë Malishevën. Megjithatë ka dashtë Zoti që ne të mos kemi ethe hemorragjike që tetë vjet dhe shyqyr që kemi arritur ta mundim atë”.

Malisheva ishte e goditur rëndë nga koronavirusi në krahasim me komunat e tjera të Kosovës, por tanimë ka lajme pozitive pas atij tragjik ku humbi jetën një qytetare.

“Nga koronavirusi kemi pasë 76 të infektuar dhe nga këta kemi 71 të shëruar dhe të gjithë janë mirë, por fatkeqësisht e kemi pasë një të vdekur. E kemi menaxhuar mirë situatën me Shtabin Emergjent. Për 53 ditë kemi pasë edhe ndërrimin e natës dhe kemi qenë pranë qytetarëve. QMF ka qenë në nivel të detyrës. Kemi pasë bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjithë ata që janë trajtuar në Klinikën Infektive kanë qenë falënderues”.

Megjithë trendin pozitiv, Begaj iu bëni thirrje qytetarëve të Malishevës që të vazhdojnë t’iu qëndrojnë strikt rregullave të institucioneve.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë para dy ditësh ka njoftuar se në vatrat endemike (Malishevë, Suharekë, Rahovec, Prizren, Mamushë) janë raportuar 285 pickime nga rriqrat.