Më i larti në historinë e Kosovës: Buxheti për FSK-në për vitin e ardhshëm pritet të jetë 123 milionë euro

Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 123 milionë euro. Ish komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thekson se këto mjete duhet të shpenzohen për blerjen e mjeteve ushtarake si dhe për kapacitete njerëzore. Kastrati për Radio Kosovën thotë se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar. Prandaj, edhe buxheti prej 123 milionë eurosh nuk mjafton për blerjen e armatimit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Nga ky buxhet, 123 milionë janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Ish udhëheqësi i FSK-ës, gjeneral Kadri Kastrati, thotë se këto para, nuk mjaftojnë për blerje të armatimit duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve të çelikut dhe materialeve të tjera që përdorën për prodhimin e armëve.

“Mendoj që këto para, nuk janë të mjaftueshme. E tash, Qeveria duhet të mendojë edhe për forcat ajrore siç janë helikopterët. Duhet të mendojë edhe për pajisjet e tjera individuale dhe kolektive që janë shumë të kushtueshme. Edhe ato armë që ka tani FSK-ja, janë të vjetruara. Mendoj që Qeveria do të duhej t`i ndajë mbi 200 milionë euro ose të rrisë 1.7 për qind të bruto produktit vendor”, tha ai

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, thotë se blerja e armatimit, trajnimet, shkollimet dhe planifikimet e tjera të furnizimit dhe e gjithë struktura brenda forcës, janë në planin gjithëpërfshirës.

Nëse flitet tash për blerje armatimesh e për kalim dhe tejkalim të projektit dhe planit atëherë është jo reale, ai plan mund të ndryshohet vetëm me ndihmën teknike të SHBA-së”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Enver Dugolli thotë se buxheti i tanishëm prej 123 milionë eurosh, që sipas planit gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, do të duhej të arrihet në vitin 2028.

“Kemi arritur shumë në këtë fazë dhe besoj që kjo do ta përshpejtojë procesin e kompletimit të pajisjeve, trajnimeve, blerjeve ushtarake, infrastrukturën, akomodimin dhe kompletimin sa më të shpejtë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ai.

Me qëllim që t’i ndihmohet FSK-së, në mars të këtij viti Qeveria formoi Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët mund të kontribuojnë me të holla.