Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të Drejtorëve, formohet Shtabi Emergjent i Komunës

Duke parë gjendjen e krijuar pas përhapjes se virusit COVID-19, kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve, ku është diskutuar për marrjen e masave ndaj virusit COVID-19.

Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Klinë, z. Ragip Bytyqi, është marrur vendim për themelimin e Shtabit Emergjent, i përbërë nga akterët relevantë të Komunës së Klinës, për menaxhimin e situatës dhe zbatimin e masave parandaluese ndaj virusit COVID-19.

Kryetari Elezaj theksoi se duhet të bëhet zbatimi rigoroz i vendimit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me masat preventive, vendimet e Bordit të Drejtorëve dhe shprehi gatishmërinë që komuna me të gjitha kapacitetet të kontribuojë në ndërmarrjen e masave preventive.

Po ashtu, ai theksoi se nuk duhet të krijohet panik, por qytetarët duhet të përcjellin me kujdes të shtuar gjendjen dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHP).

Kryetari Elezaj ka kërkuar nga inspektorët e komunës që të njoftojnë pronarët e restoranteve dhe kafeneve, se sipas vendimit të Qeverisë ndalohet puna pas orës 23:00 dhe se ky vendim do të respektohet me përpikëri nga inspektorati i komunës dhe policia.