Mashtroi në emër të bamirësisë, dënohet me 2 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me gjobë prej 2 mijë eurosh dhe me 1 vit burgim me kusht një person në Ferizaj, i cili është gjetur fajtor për mashtrimin e dy personave,

A.M. akuzohet se nga janari deri në prill të këtij viti, në një fshat në Ferizaj, duke u prezantuar rrejshëm si pjesëtar i FSK-së dhe duke mashtruar se ka mundësi ta ndihmojë në shërimin e V.S. Ai ka prezantuar fatura kinse të një spitali privat.

Ai i ka mashtruar dy gra duke ua marrë 9 mijë e 900 euro.

Gjykata e ka obliguar atë që brenda kohës së verifikimit dhe afatit prej 90 ditëve, pas pranimit në formë të shkruar të aktgjykimit, ta kompensojë dënim e shkaktuar palëve të dëmtuara në shumë të përgjithshme prej 9.900 €.

Komunikata e plotë:

Një (1) vit burg me kusht dhe dymijë (2.000) euro gjobë ndaj A.M për mashtrim
Ferizaj, 24 qershor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.M. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale Mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtarja individual i Divizionit Mimoza Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale si në aktakuzë, të njëjtin e shpalli fajtor dhe gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i pandehuri në afat prej dy (2) vjet nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit nuk kryen vepër penale,si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) euro.

Obligohet i akuzuari që brenda kohës së verifikimit dhe atë afatit prej nëntëdhjetë (90) ditëve, pas pranimit në formë të shkruar të këtij aktgjykimi, të kompensoj dënim e shkaktuar palëve të dëmtuara dhe atë në shumë të përgjithshme prej 9.900 €.

Në rast se i akuzuari brenda periudhës së lartë cekur nuk e përmbush obligimin e tij, dënimi me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti, do të ekzekutohet dhe të njëjtin do ta vuaj pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

I pandehuri akuzohet se nga muaji janar 2021 deri më 27 prill 2021, në një fshat në Ferizaj, duke vepruar në vazhdimësi me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK-ës dhe duke u paraqitur n mënyrë mashtruese si person qe ka mundësi të ndihmoj në shërimin e B.S. dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për ti shkaktuar dëm material te dëmtuarave V.S dhe B.S., i mashtron të njëjtat duke u premtuar se do të ju siguroj fonde për mjekimin e të dëmtuarës B.S., dhe e vazhdon lajthimin në atë mënyrë që duke ju paraqitur fatura, kinse të një spitali privat, ju thotë se është shtyrë operimi i të dëmtuarës për shkak të shpenzimeve shtesë, dhe për këtë e nxit të dëmtuarën të jap para në vlerë të përgjithshme prej nëntëmijenëntëqind (9,900) € për shpenzime të ndryshme dhe pastaj duke i gënjyer se operacioni mund të kryhet në Kosovë e jo në Turqi apo Shqipëri, siç ju kishte thënë në fillim të dëmtuarave, me ç’rast i ka dërguar të njëjtat ne një motel në Prizren që të presin thirrjen e një doktori nga Tirana dhe i njëjti më nuk është paraqitur.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizaj