Lushtaku: Kam kërkuar nga Veseli që PDK t’ia jep votat qeverisë së LDK-së për të mos u varur nga Lista Serbe

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku ka folur për situatën politike në vend.

Lushtaku në “Debat Plus” ka thënë se në situatën që ndodhet PDK pas zhvillimeve me Gjykatën Speciale më mirë është të përfshihet në qeveri.

Ai ka thënë se më parë ishte vendim i Kadri Veselit që PDK të qëndrojë në opozitë dhe sipas tij kjo gjë ishte e mirë në atë kohë.

Por Lushtaku thotë se pas ftesës nga Haga gjërat kanë ndryshuar dhe për PDK-në do të ishte më mirë përfshirja në qeveri.

Ish-kryetari i Skenderajt thotë se ai dhe disa kolegë tjerë nga PDK kanë kërkuar nga Veseli që PDK t’ia ofrojë votat qeverisë së LDK-së në mënyrë që kjo e fundit të mos varet nga votat e Listës Serbe.

“Kemi thënë që t’ia jep votat qeverisë së LDK-së dhe të kërkojë llogari pa u përfshirë në të e të mos varen nga votat e Listës Serbe. Ata për fat i patën votat dhe e bënë qeverinë që është”.

Lushtaku thotë se PDK duhet t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes të qytetarëve.

“Është gabim që për shkak të inateve tona të pësoj qytetari i këtij vendi”, tha ndër të tjera Sami Lushtaku.