Lirohen 11 prej zyrtarëve policorë të arrestuar në rastin “Pika” – Iu vazhdohet masa 2 prej tyre

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin dhe ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarëve të arrestuar në pikën kufitare Qafë Morinë, për rastin e njohur si “Pika 1”.

Gazeta Insajderi ka mësuar se gjykata ua ka vazhduar masën e paraburgimit dy zyrtarëve policorë teksa ua ka ndryshuar masën e paraburgimit 11 prej tyre.

Bazuar në kërkesën e siguruar nga Insajderi mësohet se dy zyrtarëve policorë të cilëve iu është vazhduar masa e paraburgimit janë Demë Lokaj dhe Mërgim Bekaj, teksa, ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë shtëpiak të pandehurve Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanj, Agim Hadergjonaj, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Rasim Tolaj, Skënder Meta dhe Xhevdet Haklaj.

Të hënën e 14 marsit u arrestuan 50 zyrtarë të shtetit. Komandantë, togerë, policë e doganier. Shërbenin në dy pikat kufitare me Shqipërinë. Qafë Morinë e Qafë Prushi.

Ende nuk dihet se si është vepruar në rastin e 24 zyrtarëve policorë në pikën kufitare Qafë Prushë

48 policët e 2 doganierët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata vepronin kryesisht duke marrë ryshfet përmes shallterit në kufi, ky kryesisht qytetarët i fusnin paratë e ryshfetit në dokumente. Polici pastaj i merrte ato, i fuste në ndonjë letër në tavolinë, por më shpesh nën këmbë në karrige, për ti futur pastaj nëpër xhepa pasi ngriteshin nga karrigeje.