Pejter Shala akuzohet për krime lufte në Fabrikën e metalit në Kukës

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale e kanë publikuar aktakuzën e konfirmuar kundër ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur me nofkën “Ujku”.

Në këtë aktakuzë prokurorët e specializuar pretendojnë se Shala kishte kryer krime të luftës, në mesin e tyre vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar.

Sipas aktakuzës këto krime pretendohet se ishin kryer nga Shala në fabrikën e metalit në Kukës ku pretendohet se ishte improvizuar një qeli e cila ruhej nga roje të armatosur.

Në këtë rast sipas ZPS-së,  Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshihet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinjë dhe thika.

Aty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bjesbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk i kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Për këto akuza Pjetër Shala ishte arrestuar me 16 mars në Belgjikë ndërsa transferuar në Hagë me datë 15 prill të këtij viti.

Ai pritet të dal para Gjykatës Speciale në Hagë gjatë ditës së Hënë.