Rikthimi i Limajt në PDK, deklarohen Isni Kilaj e Sokol Bashota

Takimet e Fatmir Limajt me zyrtarë të lartë të PDK-së në opinion publik po vlerësohen si trasim i rrugës drejt rikthimit të Limajt në këtë subjekt.

Së fundi, Limaj është parë në takime e ndeja me Adem Grabovcin, Sami Lushtakun, Fadil Nurën, si dhe përfaqësues tjerë të PDK-së.

Por, çka thonë në këtë subjekt për këtë çështje?

Ish kryetari i Malishevës, Isni Kilaj thotë se ka një iniciative që është ndërmarrë nga ish themeluesit e UCK-së që spektri që i takon kësaj kategorie me qenë i bashkuar dhe është një lloj reagimi kundër qëndrimit të pushtetit të VV-së që, sipas tij, ka përbuz dhe nënçmuar kontributin e UÇK-së.

Sa i përket rikthimit të mundshëm të Limajt, në PDK, ai ka thënë se rikthimi i tij do të ishte mirë për PDK-në.

“Nuk jam në struktura të ngushta të PDK-së, por opinioni që po krijohet më këto iniciativa nga këto ndeja dhe shihet që është një disponim që i tërë spektri i kësaj kategorie të njerëzve të jetë i bashkuar dhe unifikuar dhe në mbështetje të njerëzve tanë që i kemi në Hagë dhe të rikthimit të vlerës së luftës në politikë dhe jetën e përditshme”, ka thënë Kilaj për IndeksOnline.

Në anën tjetër, ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota duke folur për ndejat e fundit, thotë se do të ishte e pandershme t’i komentoj takimet mes miqve që kanë të kaluar të përbashkët.

Megjithatë ka thënë se Limaj deri sot nuk ka asnjë kërkesë drejtuar PDK-së për rikthim.

Sipas tij, rikthimi i tij në PDK do të ishte i panatyrshëm pasi pas daljes së tij, PDK i ka humb zgjedhjet në pesë komuna.

“Unë e ndaj mendimin tim personal dhe jo të subjektit politik, sepse s’mund të diskutosh diçka që s’ka kërkesë. Çdo kërkesë ne si kryesi e shqyrtojmë dhe i japim përgjigje. Në PDK ka demokraci të brendshme dhe vendos shumica”, ka deklaruar Bashota për IndeksOnline.

Ndërsa, Agim Çeku ka vlerësuar se rikthimi i kreut të Nismës në PDK do të ishte mirë edhe për të edhe për PDK-në.