Liderë evropianë kërkojnë të mos ketë masa vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Serbisë

Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse kjo nuk ndodh.

Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën “përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.

Më tej u ritheksua “mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse”.

Një paragraf i veçantë i konkluzioneve i kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.

Udhëheqësit e shteteve anëtare kanë theksuar se s’mund të paralajmërojnë apo të ndërmarrin masa vetëm ndaj Kosovës e jo edhe ndaj Serbisë.

Ata theksuan se është thelbësore vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj për zbatim.

Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.

Një diskutim dinamik për Kosovën
Liderët e BE-së patën një “diskutim dinamik” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në ditën e parë të samitit në Bruksel, më 29 qershor.

Në ditën e parë, liderët trajtuan situatën në veri të Kosovës dhe tensionet e shkaktuara në dy raste: në fillim të samitit, kur në takim mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më vonë gjatë ditës, në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

“Mesazhi kryesor gjatë gjithë diskutimit ishte se duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të shtensionuar situatën dhe kjo duhet të bëhet nga të dyja palët”, tha një zyrtar i BE-së duke folur para gazetarëve të premten, më 30 qershor.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borell, shkroi në Twitter:

“Dje rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe gatishmërinë tonë për të garantuar angazhimin e ardhshëm të sigurisë. Sot një diskutim i rëndësishëm për Kinën dhe sigurinë ekonomike. Unë do t’u raportoj liderëve për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës”.

Mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes, në pjesën e përfundimeve u zhvillua një debat i ashpër për migracionin dhe Hungaria e Polonia bllokuan miratimin e paragrafit që lidhet me menaxhimin e migracionit në BE.