Lajçak takon sot presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak sot pritet të vijë në Kosovë për të zhvilluar takime me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimet e emisarit Lajçak do të vazhdojnë edhe me përfaqësuesit serb pas disa ditësh.

Sot, Lajçak takimin e parë do ta ketë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku do të zhvillojnë takim me dyer të mbyllura, rreth orës 14:10, në kabinetin e presidentes.

Pas takimit me presidente, një takim po ashtu me dyer të mbyllura emisari Lajçak pritet ta ketë edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak në Prishtinë do të qëndrojë për dy ditë më 9 dhe 10 mars, ndërsa me datat 13 dhe 14 do të qëndrojë në Beograd.

Nuk dihet se cila do të jetë agjenda e Lajçak për nesër, më 10 mars.

Një vizitë e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd ishte paralajmëruar pas takimit të 27 shkurtit.

Në takimin trepalësh të 27 shkurtit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk është arritur marrëveshje.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Pas takimit të 27 shkurtit, një takim trilateral është paralajmëruar edhe më 18 mars.