Lajçak: Po presim që NATO të na jep faktet për tre policët, Kosova dhe Serbia kanë verzione kundërthënëse

Në lidhje me rrëmbimin e tre policëve kufitarë kosovarë dje nga njësitet speciale serbe brenda territorit të Kosovës, është pyetur Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me ç’rast e pezulloi gjykimin duke thënë se pret nga NATO-ja të paraqes faktin për situatën ngase Kosova dhe Serbia kanë dhënë versione kundërthënëse.

“Jemi duke pritur nga NATO që t’i mbledhë faktet , kemi kërkuar prej të dyja palëve t’i prezantojmë faktet sepse kemi dy storje kontradiktore”, tha ai për The Geopost duke folur nga Prespa, ndërsa në pyetjen se a janë të informuar për vendnodhjen e tre policëve tha se “jemi në kontakt me të dyja palët”.

“Le të presim nga NATO që të na tregojë se çfarë ka ndodhur dhe ku ka ndodhur. Ne duam t’i qartësojmë  faktet. Nuk duam të sjellim vendime pa i ditur të gjitha faktet. Po bëjmë gjithçka që mos të ndodhë një Ukrainë tjetër, përkundrazi. Për këtë shkak ne po e promovojmë procesin e normalizimit. Normalizimi është e kundërta e Ukrainës”, ka thënë Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, orë më parë pati takim me pesë ambasadorët e shteteve të QUINT’it të cilëve tha se u ka “protestuaer” me mosreagimin e KFOR’it, për çka tha edhe se janë bërë 30 orë që nuk kanë dalë me një reagim shpjegues në lidhje me rrëmbimin e policëve nga shteti serb.

“Unë kam pasur bisedime telefonike edhe mbrëmë me Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe këtu po vi nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zv/ambasadorët e misioneve dhe diplomatët e tjerë. Ku gjerë e gjatë ua shpjeguam duke i informuar për dje dhe sot. Dhe, tash 30 orë nga kidnapnimi i tre policëve dhe ende nuk kemi deklaratë zyrtare dhe shpjeguese nga KFOR’i të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjeve ua shpreha edhe protestën time por edhe kërkesën për reagim urgjent”, ka thënë Kurti.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmët e këpucëve dhe çizmeve në drejtim të Serbisë, të veturave pa targa, sidomos të prangave të plastikës të forcave serbe. Pra, ata jo vetëm që e kanë kryer kidnapimin, por edhe kanë dashur të lënë gjurmët publikisht. Bëhet fjalë për një agresion me arrogancë. Nuk janë përpjekur t’i fshehin gjurmët. Synimi ka qenë të dihet që ata ishin aty në atë kohë”, ka thënë Kurti.