Ky është kapiteni i Policisë i suspenduar për shkaktim të rrezikut, voziti nën ndikimin e alkoolit

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar përkohësisht një zyrtar policor, me gradën e kapitenit, pasi i njëjti ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke vozitur nën ndikimin e alkoolit. Rasti ka ndodhur dje, kur i dyshuari ka qenë duke drejtuar veturën e tij private, jashtë detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se zyrtari policor i suspenduar është Stojan Denic, që shërben në Policinë Kufitare – Lindje.

Ndaj Denic në konsultim me prokurorin është iniciuar rast me dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm”.

“Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt.”, ka njoftuar IPK.

Por si u zbulua rasti?

“Policia e Kosovës është njoftuar nga qytetarët dje në orët e mbrëmjes për një vozitje të rrezikshme në Gjilan duke rrezikuar jetën e dy qytetarëve .

Pas marrjes të informacioneve është identifikuar i dyshuari i cili ka rezultuar të jetë zyrtar policor (me gradën e kapitenit).

Bazuar në autorizimet ligjore Policia e Kosovës ka njoftuar hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës.

Hetuesit e IPK-së kanë identifikuar dhe intervistuar tre dëshmitarë lidhur me rastin.

Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është bërë  testi i alkoolit dhe ka rezultuar së i njëjti ka qenë duke drejtuar veturën e tij private (jashtë detyrës zyrtare) nën ndikimin e alkoolit (2.08 promila).”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.