Shkon në 23 numri i viktimave në Shqipëri

Ka shkuar në 23 numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pasditen e sotme ka ndërruar jetë një 72-vjecare nga Tirana, e cila ishte e shtruar në spitalin infektiv.

“Një paciente 72 vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S., ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spitalin infektiv në QSUT, e konfirmuar me COVID19. E moshuara ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar, por pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Po ashtu ministria thotë se 72 vjeçarja vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruse si insuficenca renale kronike, hipertensioni dhe hipotiroidizëm.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve, ndërsa i bën apel qytetarëve t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19./