Dimër i vështirë për kosovarët, priten reduktime të ashpra të rrymës

Qytetarët e Kosovës pritet të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, sepse furnizimi me energji elektrike mund të jetë i vështirë për Kosovën gjatë periudhës së dimrit, këtë e thonë përfaqësuesit e qeverise si dhe ekspertët e energjisë.

Kapaciteti aktual i energjisë  që prodhohet në Kosovë, nuk përmbushin nevojën e kërkesave të qytetarëve me energji elektrike në baza tarifore.

Ekspertët e energjisë elektrike thonë se duhet të investohet në kapacitete të reja gjeneruese, ndërsa shprehin nevojën edhe për bashkëpunime me vendet e rajonit, sepse nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetit e prodhimit e sidomos gjatë dimrit.

Kosova momentalisht ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, ndërsa nevojat në dimër arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavat për orë. Kjo diferencë zakonisht importohet nga jashtë, raporton Radio Kosova

Eksperti i energjisë, Ethem Çeku, ka thënë për Radio Evropën se arsyeja e krijimit të kësaj situate në Kosovë është për shkak që qeveria është e orientuar më shumë në blerjen e energjisë elektrike. Çeku ka theksuar se Kosova mban termocentrale me remote të vogla që shtyjnë nga një vit, por shtoi që blloqet e Kosovës janë të stërvjetëruara dhe se nuk ka pasur asnjë investim për kapacitetet e reja gjeneruese.

“Nuk u ndërtuan kapacitete të reja gjeneruese, nuk u zhvillua sektori i energjisë alternative, u orientua gabimisht në energjinë e hidros dhe u bënë blerje të energjisë elektrike. Kosova nuk i përmbushë nevojat, sepse nuk i kemi në prodhim të gjitha kapacitetet. Sikur të ishin në prodhim blloqet e Kosovës A, që në kapacitetet prodhuese mund të prodhojnë deri në 800 e disa megavat dhe dy blloqet e Kosovës B, hidrocentralet e Ujmanit dhe ndihmesa nga energjia alternative, ne nuk do të kishim telashe”, tha Çeku.

Eksperti i energjisë tha se në rast se Qeveria e Kosovës mund të planifikojë ndërtimin e kapaciteteve te reja gjeneruese në rast të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

SHARE