Ky është 25-vjeçari që dyshohet se dhunoi seksualisht 72-vjeçaren në Skenderaj

Gazeta Sinjali raportoi sot për identifikimin e 25-vjeçarit që dyshohet se ka dhunuar seksualisht një 72-vjeçare në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, më 4 nëntor. Pas denoncimit të këtij rasti tronditës, Policia arriti ta arrestojë personin e dyshuar, i cili u kap sot dhe dërgua në ndalim policor. Por kush është i riu që dyshohet se keqtrajtoi seksualisht gruan e moshuar?

Burimet nga Prokuroria ka bërë të ditur ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Alban Hajrizin, i cili sipas provave të siguruara deri më tani ka kryer marrëdhënie seksuale me të moshuarën, pa dëshirën e saj.

Kujtojmë se Sinjali ka raportuar se rastin në Polici e ka denoncuar një i afërm i 72-vjeçares, i cili ka njoftuar se ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në fillim të këtij muaji.

E moshuara është intervistuar nga hetuesit policorë, ku para tyre ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen e tmerrshme me të cilën u përballë. Pas denoncimit të rastit, ajo është dërguar për ekzaminime mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunim’, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.