Kurti mirëpret vendimin e Spanjës: 2024-ta vit i fuqizimit të pasaportës kosovare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Spanja ka marrë vendim që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaportë kosovare, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, Kurti ka thënë se viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Kosoës.

“Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar!”, shkroi Kurti.

Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.

Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova“.

“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur“, thuhet në dokument.

Ndryshe, që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët kosovarë kanë mundësi që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.