Hyseni, Abdixhikut: Si ka mundësi që nuk e dëshiron rrëzimin e Qeverisë Kurti?

Njëri prej figurave kyçe të Lidhjes Demokratike të Kosovës Skender Hyseni, i ka drejtuar disa kritika kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhikut.

Hyseni referuar deklaratës së kreut të LDK-së për kryeministrin Albin Kurti, tha se si ka mundësi që Abdixhiku i drejton një mal kritikash qeverisë dhe në anën tjetër nuk e dëshiron rrëzimin e saj.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme deklaroi se kjo e bën manipulues të parin e Lidhjes Demokratike.

“Megjithatë, pyetja më logjike që imponohet në këtë rast është: Si është e mundshme që një lider opozitar, Abdixhiku ia numëron gjitha atë mal dështimesh Kurtit, dhe në të njejtën kohë deklarohet kundër rrëzimit të kësaj qeverie, si qëndrim poltik partiak! Diçka këtu nuk shkon! Nëse deklaron se kjo qeveri ka deshtuar në çdo gjë dhe në të njetën kohë, të njejtës i thua vazhdo të “qeverisësh” sepse ne nuk duam të të rrëzojmë, “kritikun” Abdixhiku e bënë po aq të pabesueshëm dhe manipulues” – tha ai.

Skender Hyseni shtoi se e keqja më e madhe që i ka ndodhur vendit ka qenë ardhja në krye të vendit të Vjosa Osmanit, si presidente dhe të Albin Kurtit, si kryeministër.

“Dua parasëgjithash ta ripersëris fuqishëm ate që e kam thenë me vite. E keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës pas lufte, është ardhja në krye të këtij shteti e Albin Kurtit si kryeministër dhe Vjosa Osmanit si presidente. Kurti një mashtrues patologjik, manipulues intelegjent, e ka katandisur Kosovën atje ku pak kujt ia merrte mendja. Ndërkohë që kemi një presidente e cila në çdo situate ose jep deklarata që janë në thelb të rrejshme dhe ç’orientuese, ose shpërfaq shkallë të lartë mediokriteti, madje edhe në fushatë ku pretendon të jetë eksperte!” – tha Hyseni.