Kurti kërkon që Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin në Banjskë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Nga foltorja e Kuvendit, ai ka theksuar se nëse Serbia nuk sanksionohet, atëherë ajo do ta përsërisë krimin, raporton Klan Kosova.

“Të dielën përjetuam një sulm agresioni të bandave kriminale e terroriste të Serbisë ndaj shtetit tonë. Sulmi i orkestruar i bandave terroriste, vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi një polic tjetër. Ishte një ditë e rëndë për vendin tonë”, ka thënë Kurti.

“Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar ose janë në ndjekje pasi që ikën. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Ai u vra në pritë. Me tu zbardhur drita, u pa që çfarëdo bande kriminale dhe terroriste nuk kanë kurrfarë shansi ndaj Policisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij,  të dielën, kishte sulm terrorist dhe kriminal i cili cenoi sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Sulmuesin që po ikin duhet të dorëzohen në organet e Kosovës. Këto organizata duhet të shpallen terroriste edhe nga vendet partnere. Për këtë akt, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht, sepse nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”, ka thënë kryeministri Albin Kurti