Kur do të arrijë vaksina antiCOVID në Kosovë, flet Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se është vështirë të parashikohet rritja e numrit të të infektuarve pas tubimeve në fushatë zgjedhore.

“Është e vështirë të parashikohet sa do të kemi rritje të numrit të rasteve të reja të infektuara, megjithatë pandemia na ka mësuar se çdo herë kur ka mosrespektim të masave dhe mund të pritet një numër i madh i të infektuarve sidomos grumbullimet e njerëzve në masë të madhe. Ne po e përcjellim situatën epidemiologjike me vëmendje dhe varësisht nga situata që do të paraqitet ne do të kundërpërgjigjemi. Sidoqoftë u bëjë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat në veçanti të vazhdojnë të bartin maska dhe të ruajnë higjienën”, shtoi Krasniqi.

Sipas tij, situata me pandeminë momentalisht është e menaxhueshme. Ai tha se në të gjitha spitalet janë të shtrirë 485 pacientë, ku prej tyre 336 janë me oksigjenoterapi.

Krasniqi theksoi se 26 prej pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Krasniqi ka folur edhe për rastet me variantin britanik të COVID-19.

“Nga 30 mostra të dërguara më herët në Gjermani nga IKSHPK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, tri prej tyre rezultuan që kanë qenë të infektuar me variantin e ri britanik Sarscov2 dhe fatmirësisht tani më këta 3 pacientë janë shëruar. Ajo që duhet të dinë qytetarët është se pa marrë parasysh se cili variant dominon në rastet e infektuara ai i përket këtij virusi dhe masat parandaluese janë të njëjta”.

Sa i përket vaksinës antiCOVID, ai ka thënë se institucionet janë duke punuar që sa më shpejtë ajo të arrijë në Kosovë.

“Vaksina vjen për qytetarët e Kosovës. Ministria e shëndetësisë dhe IKSHPK janë në kontakt të përhershëm me prodhuesit e vaksinave dhe ne presim që vaksina të arrijë në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për EO