Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, shtron iftar tradicional për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame

Në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka shtruar iftar për kryetarin e Bashkësisë Islame të Klinës, Kadri Berisha, si dhe për bashkëpunëtorët e tij.

Ky iftar, i cili tashmë është kthyer në traditë, u organizua në frymën e respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërinstitucional. Kryetari Elezaj vlerësoi rolin e Bashkësia Islame e Kosovës në forcimin e solidaritetit shoqëror dhe në mbështetjen e familjeve në nevojë, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit.

Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre fetare është i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më humane.

Në përmbyllje, kryetari Elezaj uroi që fryma e solidaritetit dhe bashkimit të vazhdojë të përhapet, duke u dëshiruar të gjithë agjëruesve agjërim të lehtë dhe të pranuar.