Kryetari i Klinës dënohet me 4 mijë euro gjobë, i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 2 vjet

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj është dënuar me katër mijë euro gjobë në rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi.

Sipas aktgjykimit, ndaj tij është shqiptuar dënimi plotësues dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat brenda 2 vitesh. Elezaj duhet që dënimin me gjobë ta paguajë brenda 6 muajve, nëse kjo nuk ndodhë atëherë atij do t’i zëvendësohet dënimi me burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e Elezajt, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që ka të bëjë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.