Krasniqi: Coca Cola e Serbisë mund të jetë e përzier me gjakun e shqiptarëve që është tretur në fushën e Batajnicës

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimin e këtij krimi.

Nga shoqata “27 prilli”, në seancën e sotme e ka marrë fjalën Lush Krasniqi, i cili ka qenë dëshmitar dhe përjetues i masakrës se 27 prillit 1999, ku u vranë 27 civilë shqiptarë.

Krasniqi ka thënë se nga familja i ka të zhdukur dy vëllezër dhe axhën, duke shtuar se është i zhgënjyer me institucionet e Kosovës sa i përket temës së të pagjeturve.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për konsumimin e produkteve serbe në Kosovë, derisa është shprehur se me gjakun e shqiptarëve të vrarë në fushën e Batajnicës mund të jetë përzier me ujë në përgatitjen e këtyre produkteve.

“Bizneset tona të pista na detyrojnë të pimë qumështin dhe Coca Colën që shkruan “Batajnicki Drum”.

“Ju që pini Coca Cola shikojeni mirë Batajnicki Drum dhe mendoni që ata gjak të shqiptarëve që është tretur në fushën e Batajnicës dhe uji që është marrë nga ajo fushë me siguri do të jenë përzier”, u shpreh ai.