Adem Mikullovcit iu dha lamtumira e fundit

Në varrezat e qytetit në Prishtinë i është dhënë lamtumira e fundit artistit të paharruar për shumë gjenerata Adem Mikullovci. Në ceremoninë mortore morën pjesë qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Bashkwshortja e aktorit, znj. Lumnie Mikullovci nën lot ka treguar momentet e fundit të jetës së bashkëshortit të saj.

“Ka qenë sëmurë vitin e kaluar, por këtë vit ka qenë shumë mirë. Fjalët e fundit ai nuk pati kohë me i thënë, sepse aorta abdominale e bëri të veten dhe kanë qenë dy minuta në pyetje, por para asaj, ai e luajti një shfaqje të tekstit të tij për film. E luajti para meje, fqinjës sime, aq me emocione dhe kur u krye, i thash Adem ti e luajte një shfaqje, na dhe një përjetim shumë emocional”, theksoi Mikullovci.

Ajo vuri në dukje se Aktori e ndien se i ka ardhur momenti. Ai ka jetuar me teatër me film, aq ishte jeta e tij. Kanë bërë të pamundurën gjithë stafi mjekësor, ambulancat, familjet, por aq ishte

“Në ato momente, e pashë që ai nuk është mirë, ia dhashë ndihmën e parë edhe u fik, u fik, ra perdja përgjithmonë”, tha ajo

Adem Mikullovci ndërroi sot jetë në moshën 81-vjeçare. Përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit, i cili shpalli deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992, si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar./B.Hajdari/